Dhimbje të ëmbla

NË ËNDËRR

Në ëndërr jam;
në ëndërr ec,
në ëndërr këndoj,
në ëndërr te thërras,
në ëndërr të shoh,
në ëndërr të pres:
-Eja, po ëndrren mos ma prish
Se…të zgjohem,
kam frikë se më ikën.

DHIMBJE TE EMBLA…

Endërr e blertë
më solli mbrëmë tek ti;
Mrekulli…!
Mes trëndafilash loznim si fëmijë
e në krahët e tu pushtuar,
si Sadiu;
të puthja veç në gji.

***

Të pa hëna netët
dhe kësaj vere.
Të orientohem -  e vështirë.
Po syri yt që ma dhe,
do më bëjë të ndjehem mirë.
Pse më pyet në të dua,
pse më thua se s`më njeh?
Ngrysesh, gdhihesh gjithë me mua;
më buzëqesh me sytë e zez’!

***

Oqeani s`është i mirë,
që më ndan mua nga ti.
Po një ditë unë do ta pi,
rrugë të kem tek ty të vij.
Por se kur?….
***
Një ditë do të vij
Prehërit tim nuk i shpëton.
Krejt me buzë do të qëndis
Por se kur….?

***
Se ç`do bëhet për më pas;
S’e vras mendjen me mendime.
Veçse buzën ta gërgas,
të humbas në përqafime!

***

Se ç’më dhemb
e se ç’më ther,
dhimbje e ëmbël në krahëror,
Të të shoh njëherë në sy,
Të të prek njëherë me dorë.

MOS LUAJ ME ZJARRIN

Shpesh hurpa flakë
Krejt shkrumuar jam.
Plagëdregëzat djegin, vuaj.
Ndaj, nëse s`do të digjesh,
Ti me zjarrin mos luaj!

I LOVE YOU

(**   ***)
I love you
Që nata
të marrë sytë e diellit.
dëshirat ,
të bulojnë si blerimi në maj.

I love you
Që trishtimi të tretet,
Si tis në mëngjeset pranverore
E loti
Jo nga dhimbja,
Po nga gëzimi të rrjedhë.

I love you
Që buzeqeshja ,
Si e çmendur të bredhë në sy e buzë.
Shpirti të marrë krahët e erës,
Të pushtojë hapësirat.
…Të dua!

KUR DITA LODHET

***
Kur dita lodhet
e shkon për të fjetur;
unë me ty zë bisedoj
si me askënd tjetër.

LERMË TË FLAS SONTE

Mos më fol sonte,
nëse s`më do të tjetërsuar.
Më lër në thëllimin e vetmisë
dhe të mallit.

Lermë të flas sonte
me ata që afër s’i kam
e të përkundem ëmbël
në një dashuri të shkuar.

Ç`pret të dish nga unë,
s’e shikon si po tretem?
Shikom sa butë po digjem
derisa hi të mbetem.
Dhe emrin e humba,
dhe sytë i humba
në trup-gërshetin e një vajze
që kurrë më s’e pashë!
E kështu ec
rrugëve të pa fund
pa emër e sy.
Askush s`më thërret,
Askënd nuk shoh!

GJEJ RRUGË DHE EJA

***
Qielli ma dha
Tokës më iku!
I ruhem qiellit,
tokës i druhem;
ti, gjej rrugë dhe eja!

ZEMËR

Se kush, mbrëmë
fjalën-zemër, e tha.
Në errësirë,larg,
unë fytyrën s`ia pashë.

Zemra është zemër.
Lum ai që e mori!
Unë errësirën e natës verboj.
Ju betohem;
Fytyrën s’ia pashë!

NË RRUGË…

Më vret syri i gjirit
i dalë paksa pa dashka.
Asgjë s’më ngjall
kur e shoh të tërin përjashta …

KY MËNGJES

I ëmbël ky mëngjes,
tek zgjohem me mendimin – se të kam.
Të të përqafoj jo, gjumin s’po ta prish
në ajër, mbi kokë mikja ime, pezull po ta lë,
se do kthehem për tjetrin, ta dish.

MOS MË KËRKO

Në të marrtë malli për mua
kur të kem ikur, kur të jem tretur
shtrydhe sythin e pranverës
fjalën time për ta gjetur.

Dil ndër fusha, hije, kroje
duke qarë e duke qeshur.
S’do lesh vend pa më kërkuar
në gji të lules do jem fshehur.

NËSE VONOHESH

E di, ti një ditë do të vish
se strehë më të mirë s’ke për të gjetur.
Oj ti e mjera! Shpupuris hirin e fikur,
është rrënuar moj, shtëpi e vjetër.

Pëshpërit këngën e pathënë mbetur;
klith mbi gjysmë emrin tim
mbi lëndinën e fjetur
ti solle gjysmën, por s’është gjysma tjetër

Ia vure flakën dhe ike e qeshur
tej caqeve ku harrimi harron vetveten.
E dogje brenda shpirtin
që vetë e kishe krehur.

MOS MË LËR VETËM

Një ditë tokës
në marramendje

do t’i thuren këmbët

E të të kem pranë
atë çast
dua!

E PRISJA

Se si erdhi tinës-tinës
pa trokitur, pa bërë bujë
Po për të ikur, s`ka për të ikur
pa shamatë e pa rrëmujë.

DUSHI

Gëzimet si gjethet
në vjeshtë, veniten.
Edhe ditët po ashtu
veçse dhimbja e të dashures
mbetet, këtu

Në zemrën time.
Le të digjet me mua
se të morën,
ashtu si nënës nga gjoksi
femijen ia marrin.

Lotët e ndarjes
t’i piva.

Kur ditët
me njëra tjetrën ziheshin,
të prisja ty të vije
paqe t’u jepje…

Kur mëngjeset
murroseshin;
buzëqeshjen tënde hyjnore
ua falja…

Netëve pa hënë
prej syve tu
dritë u jepja.

Po shpirti,
shpirti mbeti thatë
Dushi!

***
Druaj se në gjumë
emrin tim ke thirrur
ashtu si unë tëndin
thirra sa herë

Dritaren
kurrë mos e mbyll,
perdet i mori era.
Se shpirti do të vijë një natë,

Të të puth lehtë,
pastaj, pastaj
të zhduket përngahera!
***
Ike larg…
Tej shpirtit tënd
Ike, më harro
Se unë s’mundem

Se kam gërshetin që ma le
Për vajzërinë që s’ta mora
E në dasmën tënde nuk erdha
Ti vdekjes mos m’i mungo,

Se sytë
Hapur do më ngelen
Andej, nga duhej të vije…

VRAJE PRITJEN

Unë,
vetminë time,
me pritjen tënde do ta vras.

Ti,
pritjen tënde
me dashurinë time
vraje.

Së bashku
të lindim një ditë të re
pa lamtumira!

(********)

Ti thur e çthur pëlhurë
e ja;
U përsërit histori e vjetër.
Por dije mirë baco, se…
në mos ardhsha sot a nesër…
…Një ditë do vij patjetër.

SHI DASHURIE

Meqë
rreth vetes po sillem,
një Everest tjetër
për ty
me eshtra fjalësh po ngre.
E atje
në maje
emrin tënd ta lë
që lulja të mos vdesë
e shi dashurie
përherë të bjerë

***

Sonte
rudinat e shpirtit
ti fala!
Hyr
e lodro pa kufi!
***
Nesër,
vishu bukur.
Ndën qepalla
më sill buzëgazin e harruar
e lehtë me buzë,
shpresën e përgjumur
ma zgjo.
Nesër
kur të vish, mos harro;
me diell vishu
se pranvera ka kohë që matet
e s’po vjen.

KU TË TË KËRKOJ…

Përtej ëndrrës të gjeta
në ëndërr s`të pashë.
Ku të të kërkoj ,
se shpirti po më dhemb?.

RUSJANA, RUSJANA

Në humnerën time ç’deshe Rusjana?
Haj, me gjithë stepat brenda të të zë!
Ujëvarat e flokëve pa mend më lanë
m’i humbi rrugët, kaltrimi i syve tu.

Si the? si the Rusjana, si the?
se nga rinia jote do më japësh?!
Jo! Të vritem dhe një herë nuk mundem,
më mirë të zvarritem i plagosur mbi dhe.

Ashtu siç e ke ngjyrën e flokëve ti
ashtu e kam dhe unë shpirtin-flori
Ndaj merre me vete e humbni ndër stepa
që askush tjetër mos ketë pse të vijë

Më puth pra Rusjana, më shtrëngo në gji
nga zjarri yt pa pushim më jep,
në këtë akull-vere te mos mërdhi
nën aromë ftonjsh të gjej pak qetësi.

MUNGESA E MUNGESËS

Të pata thënë:
Do të të përcjell,
ashtu si poetët dinë të përcjellin.
Po s`munda!

Të të pres, a do mundem?

Duart, buzët, sytë
(sytë jo, se gojë e shpirtit janë)
Le të rrinë thatë

Për trupin, as që dua t’ia di!

Thua se të marra
ditët janë, që zgjohen me aromën tënde?
Ndoshta dhe janë.

Tej mundësisë, shpirtërat, le të harlisen.

STUHIA

Tronditje themelesh
se toka po dridhet
stuhi të llahtarshme
në qiell
rrënqethëse uturima e dallgëve
në det.
Një zë sirene
të tëra shtigjet e fjalës m’i mbylli.
Ushtari, besnik i detyrës, dezertoi.
Fundi,
a s`është i ëmbël në prehërin e saj?!

MOS THUAJ LAMTUMIRË

Pse erdhe?
Ç’të solli?

Asgjë s’ke për të gjetur!

Erdhën,
i morën,
ikën!

Dikush pak zemër,

Dikush  pak shpirt,

Dikush pak gjak!

Asht`me lanë!

Kur të ikësh,
lamtumirën mos e thuaj….
Se shembem…

One Response to “Dhimbje të ëmbla”

  1. Bukur…
    Eshte e vetmja shprehje qe te vjen per shtat ne gjithe drejtimet per sa te njoh une ne shkrimet e tua….

    Nuk ka rendesi ajo qe do ti, por ajo qe gjejme ne te gjithe kur te lexojme LOT

Leave a Reply