Emri i krenarisë sime

DITA E BEKUAR

Do marr Veriun këtë pranverë
gjer në Skocinë e lashtë,
Bernsin njëherë ta takoj
parmendën të kapim bashkë.

Të mbjellim elb për Willin
se do na duhet shumë birrë;
në gosti shumë do thirren
Lord, Dikens dhe Çurçill.

Roberti për Xhenin do këndojë
Bajroni një këngë për shqipet do marrë
Willsoni ndjesë do kërkojë
për një faj të tij, shumë kohë më parë.
Shekspiri, një tragjedi ka shkruar
për popullin më të lashtë në ballkan,
në pesë vende coptuar, e Çurcilli
i zënë në faj, le të rrijë mënjanë.

Shekspir, Bajron, Robert, miqtë e mi
Padrejtësite përhere nuk zgjasin.
Nuk do të jete larg dita, që se bashku
të jene ata, që një gjuhë flasin!

Po do pimë atë ditë! Do bëhemi tapë!!
Hareja, o zot, s’do ketë të mbaruar!
Do këndojmë për Skocinë e lashtë
Do këndojmë për Shqipërinë e bashkuar!!!

KOSOVA KA VETËM NJË EMËR

Heshtje.
Vetëm heshtje.
Heshtin ata
që nuk duhet të heshtin.

S`bëzajnë ata,
që as dje s`bëzajtën.
Ata që u paguan të heshtin,
ata që u graduan të heshtin!

E prapë
u duhet poetëve të piskasin,
aq sa Tirana të buçasë.
Të dridhet Brukseli,
Londra, Moska
Washingtoni:
Kosova
është Kosovë!

E prapë
do piskas
edhe dy mijë herë do piskas,
aq sa themelet e padrejtësisë
të lekunden;
aq sa gurët të shkulen:

Kosova
është Kosovë,
ËSHTË SHQIPËRI !!!

MA THUAJ NJË FJALË

Ma thuaj një fjale, he burrë
ma thuaj.
E di së vëllanë ta vranë,
po la djalin!

Ma thuaj atë fjalë
edhe me jetë nëse peshohet
edhe n’u peshoftë me vdekje
ma thuaj!

Çeli ballin
shkrepi diellin
e tha:-
Rroftë Kosova!

GJAKOVË

Më premto krahrorin
të mbështes kokën e lodhur
nga mendimet e malli. Kokën
që aq shumë më dhemb.

Ooh, lehtë e butë më përkëdhel!
Kam nevojë. Më premto kaçurrelat
t’ia stolisim kurorë
ditës sonë.

Më veshtro
të hurp kaltërsinë e syve tu,
shkrumbin e buzëve ta heq.

QAFËS SË PRUSHIT

Kohërat,
si erërat
mbi ty u përplasën;
Gjak e mall mbollën!

Pesë pashë u ule
nën peshën e dhimbjes
Shtatë u ngrite
në ditën e gëzimit!

Kosova-
Kosovë është;
Dritë e pafikur
ndër rrebeshe!

Gjakovë-
nën tisin e hollë
të pritjes të shihja.

Më plaku para kohe
malli, po
pranverën e prita!

Ata gurë,
që ende s’po hiqen?!
Haj, në furrën e mallit
t’i djegim!

Se Kosova
Kosovë është;
Krenari
e pashkelur!

DRENICË

Borxh këngën ta kam
Oj lulja e gjakut,
Që mbi vdekjet çel
E kurrë nuk shuhesh!

. . . . .
Sa herë Liria ngujohet në pranga
Koha thërret: -Drenicë ku je!!
Ti ngrihesh krenare-flijohesh
E rilind, për një ditë të re.

Ta dua, moj, ballin e rreshkur nga dhimbjet
Edhe trupin e sfilitur nga plagët, po.
Oj krenaria ime, ti mbi vdekje rritesh;
se lindjen pa liri s’e do!

Ti hesht dhe kur të lënë në një cep të harruar
se s’u ngrite kurrë për zë e lavdi,
Oj martire, shpirt lirie, mos u dëshpëro;
Kombi yt të do, të shtrëngon në gji!

…Me gjak në altar të lirisë je shkruar:
Drenicë, flakadan i pa shuar!
Sa herë Liria ngujohet në pranga
Koha thërret: – Drenicë ku je!
Ti ngrihesh krenare, flijohesh
E rilind për një ditë të re!

London-11/12/02

TOKËS SIME

Endem nëpër botë
me ty në shpinë
me ty në zemër

Përditë barra rëndohet
malli zemrën ma zhuriti
toka ime

ditët e bardha për ty
ku mbetën?!

LARG TEJE

Edhe këtë pranverë
dëshirat dëshira mbeten;
lidhjau tufën qingjave
të lodrojnë fushave.

Bletëve varjau në krah
le t’i përqafojnë hapsirat
e kaltërsinë e bjeshkëve.

Palosi palë-palë nën hije
me gurgullimën e krojeve
t’i zërë gjumi.

Oj, rrekëllei gërxheve
rrekëllei rudinave
se rriten!

SHEKUJT E ÇMENDUR

Shekujt,
më kafshuan
si qen të prishur kreje.

Më vranë,
më prenë
Copë-copë më bënë!

Mbijetova!
Tash, s’di ç’po ndodh:
vetveten po ha!

Leave a Reply