Homer i verbër
SHPIRTI I SHPIRTIT
Xhan të kam;
ti përditë harabelave të mi
në dritare,
trosha shprese u mëkon.
Shpirt të kam;
pak nga pak po m’i gëzon ditët;
se mëngjeseve,
jetë e këngë po m’u jep.
Shpirt-shpirtit
zemër-zemrës,
Krahë- këngës.
LAJMËTARËT
I lëshova dhe njëherë
harabelat e mi për udhë…
për në ndonje vend
ku zemra s`ngrin
e gojë-ëmbla
fjalë shpirti u thotë.
Por ju mos harroni ,
kthehuni bukuroshët e mi
e veç një fjalë ndër sqepa ma sillni;
një fjalë që lind
e s’më lë të vdes.
E ju mos harroni e kthehuni…
unë po ju pres.
Fund dhjetori është, acar
Pranverën, ju do ma sillni
e në mos më gjetshi
në majëmalin e pritjes sime
lereni varë.
Eh… ç`them dhe unë;
A s`ju thash se po ju pres?
KËNGA IME
Jetë-
nga jeta ime të fala.
Shpirt-
nga shpirti im të dhashë.
Nje ditë,
nën hijen e tharë,
krua i shterrur do mbetem.
Përshëndet
nëse rruga të nxjerr aty pari
pëshpërit
veç me buzë…pa zë:
-Kënga e vet e vrau!
Po veç me buzë…
…gjumin mos ma prish.
MË THUAJ O NJERI
Pash më pash mendimit i bie,
Aq thellë zhytem, as’sesi të dal;
Më thuaj, o njeri: -E liga apo e mira
Përkrah qenies tënde, t’u fal?!
LOJA E STINËVE
Krenare pranvera,
se dimri dot s’e zuri
virgjërinë t`ia çjerrë,
bleron sythet.
Lozonjare
shpërthen në mijra këngë
në mijra aroma,
krejt e veshur në të gjelbër
ditë as natë
vallen s’e ndal.
Nga inati
vera, skuqet, djeg e pjek.
E vjeshta…?
Eh, vjeshta, në flori i vesh
tufa-tufa
peshqesh dimrit ia çon.
nën çarçafë nusërie
t’i çvirgjërojë
për një virgjërim të ri.
ËNDËRR POETIKE
Ëndërr,
a dëshirë e marrë
më mbeti tërë jetën;
t’i shihja një herë tek puthen
dimrin me verën.
E pranvera në gji ta shtrëngonte
të verdhën vjeshtë!
THASHETHEME POETIKE
Nga do po flitet dhe s`është çudi
se vejusha-vjeshtë ka rënë në dashuri.
I zgjedhuri i saj: -plakushi mjekër-bardhë
dëshira e vetme: -të bëjnë një fëmijë!
E sigurtë thonë: është vajzë frut`i shtratit
e ëmbël, e bukur e tëra shend e verë.
Do të lind aty nga fund` i marsit,
ende pa ardhur, emri i saj; Pranverë!
OXFORD CIRCUS
Mbi tela të kitarës, këputur
një i verbër këndonte një elegji
vajtonte dritën e syve të humbur
vajtonte të dashurën e tij.
Kur humba sytë, e dashur
nuk qe fundi im…
të kisha ty e më merrje përdore.
Tash që ike ti, s’po gjej shërim
gaz, as shpresë
për mua s’do ketë prore!
MËNGJES I RI
Ç`u përflak nga lindja,
e ndezi agimi!
Argjendi i hënës
u zbeh nga perëndimi.
Se agimi i shpejtë
në rrugë e zuri hënën,
foshnja gu-gu-lit
nga gjumi të zgjoj nënën
HOMER I VERBËR GJERSA TË VDES
Pranverë je, po pranverë dot s`më jep.
Pra, sytë, mos m’i kërko!
Të vetmit nga e djeshmja.
Pëshpëritja e shpirtit
Se ende gjalloj.
Pas një dite që e pres,
edhe ata do t’i fal
Homer i verbër,
gjersa të vdes
nga shpirti i saj
s’dua të dal!
F.G.LORKES
Në heshtjen e natës
erdhën ca hije me hapin e trishtimit
me plugje varrmihëse ne duar
rropatën tokën,
rivranë një njeri:
Ra Granada!
Heshtni!
Ju bisha që keni rënë mbi kufoma njerëzish.
Gjak kërkuat,
gjak poeti shijuat!
…e në heshtjen e natës
erdhën xhelatët me duar të përgjakura
Shpupurisën dhe varret,
poetit, ia prenë gjuhën
sytë ia nxorrën
që të mos këndojë Granadën e tij.
Po Lorkën s`e vranë
ende zëri i tij këndon
shtëpi më shtëpi, buçet;
Granada ime rron!!
PISKAMË…
Poet….
poet u quajtkam unë
që sonte pas mesnate zgjuar jam
dhe vargëzoj?
Kritikët
me mua nesër
shume punë do kenë.
po do u thosha; lermëni të qetë!
Lokalist mos më quani
nëse Hasit tim
i thur vargje pa pra;
është pjesë e trupit tim!
Mos më thuaj i ashpër,
nëse vargëzova në vjershat e mija,
Sharin, Shkëlzenin e Bjeshkët e Nemuna;
se biri i tyre jam!
E të butë mos më quaj
nëse lulet e fushave këndova,
nga Saranda gjer n`Gur te Shpuem;
janë kuqëlimi i vendit tim.
Dhe nëse vajtova sorkadhet
që u vranë në shtigjet e dritës,
nëse vajtova petritët
që u prenë rrugën në vigjilje të ditës;
ti mos më quaj vaj-tar.
Vaji im nuk është vaj:
Është kushtrim!
Endem nëpër vendin tim,
diku me këmbë
diku me sy e zemër,
vend për vend diçka le
vend për vend diçka marr.
Pra, ti mos më quaj endacak,
Po rrugëtar i rrugëve të mëdha!
E nëse piskas
njëmijë e nëntëqind e trembëdhjetë herë;
ti mos thuaj u çmend.
Një të padrejtë nga themelet
dua ta shkatërroj!
Endem nëpër vëndin tim
diku me këmbë
diku me sy e zemër,
ngre ura
mbush hendeqe,
thur kurora,
bashkoj zemra!
Pra ti mos më quaj endacak,
mos më quaj në daç as poet.
Ma ler emrin e krenarisë time :
-Shqiptar!