Në metropolin e mjegullës
NË METROPOLIN E MJEGULLËS
Në metropolin e mjegullës,
tym e mjegull jam bërë.
Pranverën s’e lanë të vijë
edhe këtu thashethemet.
Përditë varre hap për to
plot e përplot i mbuloj çdo mbrëmje.
Prap se nga mbijnë:
Varrin tim po hapin.
LARG
Sa larg
kam ikur,
as veten më s’e shoh.
Qemë afër
mëngjeset,
t’i zgjoja nga gjumi.
Sa lehtë
për të humbur
vetveten.
TIM BIRI
S`jam me ty;
që ti të mos ikësh.
Që stinët e tua
të mos përzihen.
Fëmijërinë ta humba!
Cicërimat e tua, Toni,
Pranverat m’i thanë!
E DASHURA IME BESNIKE
Njëzetetetë vjet
E çmendur pas meje
Askund s`mu nda.
Ika larg
Në mjegullat e Londonit
U fsheha.
Sa shpejt më gjeti
E shtrenjta ime
Migrena!
Sa dëshirë ka
Të flejë
Dhe të zgjohet me mua!
KONTRAST
Anijet drejt kozmosit
njerëzit drejt origjinës
kohë e çmendur!
PYES
Cili,
cila?
Kush,
kur?
…Shpirtin e vrarë
të gjakosur e pa?!
(………………)
Më kot
shtrydhe qiellin mbrëmë,
për një pikë hënë.
E lodhur,
në prehërin tim pushonte;
ngushëllimin ma solli!
KTHIMI
Për në parajsë e nisa
Rrugën gaboi,
Në ferr përfundoi.
S`e mbajtën,
E vranë,
E shanë
Brenda
S`e lanë.
Shko ku ishe – i thanë!
I rraskapitur u kthye;
As`ta mbaj,
As ta fal.
NATË MASHTRUESE
Ç`hata furçë,
Ngjyer sonte qiellin me blu e ka,
Ku qenë tërë këta margaritarë
Në cilin vend,
Në cilin hambar?
Po kjo ngrohtësi bymyese
Ku qe fshehur?
Hamendas eci,
Xhaketën se ku e lashë
Varur në një degë,
I tëri i dehur sonte
Ndër margaritarë lundroj.
Sonte s’i përkas kësaj toke
Dhe çuditem
Që nga porta mbi Antarktidë
Ende s’ia kam mbathur.
Fresku fillon, i ftohti s`vonon
…Dridhem!
Ngadalë filloj të vij në vete
Natë mashtruese,
Sa larg më paske çuar!
Ngre sytë-
Nnjë vatër zjarri në të fikur
S’të ngroh.,
As ca thëngjij
Që kushedi ç’shqelm vigan
Pa rregull i shpërndau;
E që mos të fiken
Pareshtur u frynë.
Porta e Antarktidës
Më ngjan si gojë e stërmadhe
Që veç vdekje vjell mbi këtë rruzull!
Bëj të kthehem,
Po rrugët më humbasin
Ndër pirgje dashurish të vrara.
Këmbët më kapërthurën
Nëpër kulpra thashethemesh.
Veç me fjalën time,
Mundohem të përballoj
Lukuninë e ujqërve.
Eh, fjala ime!…
Të braktisa
Se të vështira kohët qenë.
Të flijova;
Kurban për veten të bëra.
Të ndrydha,
Të shtrydha,
Të gjuajta
Thellë në humnerën e shpirtit.
Kujtova se të ndryva
Kurrë më
Të mos ndihesh.
Po në kalamendjen time
Kur Londonin bridhja
Symbyllurazi,
Ti fshehtaz nxore kokën;
Dikush të pa
U trimërove:
Jam këtu!-bërtite, ende gjallë
E braktisur ende s’të kam,
Po merrmë me vete
Tok të ecim.
Ani, hajde,
Veç i mpirë jam
E mpirë dhe ti
Le ta mbajmë njëri tjetrin
Edhe pak.
AS VETE S’E DI
Labirinth shpellash jam bërë
ku ndjenjat
rrugëdaljen kanë humbur.
Vullkan jam, ku përditë
i përcëlloj
e vetveten djeg.
Jam e ç’nuk jam.
As vetë s’e di;-
a duhej t’i përkisja kësaj bote?!
RRËMUJË
Libra, letra, rroba
kudo vend e pa vend,
shtëpizezën time
rrëmuja e ka pushtuar.
Ka vite që në të
dorë gruaje s’ka prekur.
as aromë e saj
nuk ndihet gjëkundi.
As cicërimë fëmijësh
kund nuk dëgjohet
E krejt të shkretuar ajo dhe unë
si memecë rrimë e me gishta flasim.
MALL
Më thau malli
ashtu si molla
në verën e thatë
tkurret,
thahet
e bie.
I gërryer shpirti
humnerë e zezë është bërë
sa tërë paratë e botës s’do ta mbushnin.
Para,
Para,
Para.
O burra,
kulla t’i ngrehim vetes
në shenjë kujtimi pas vdekjes.
Miq!
Shpirti nuk dashka para!