Parajsën me ferrin e martova
Ç’KE QË MENDOHESH?
Në krahëror shtrënguar
mos rri!
Puthmë!
Ç’ke që mendohesh?
Rrëmbeja ikjes
dhe një gëzim;
A s’e shikon që dita
në gojën-lubi
të kohës po shkon?!
XHEVAHIRI I KRISUR
Sot diçka humba
-më shumë se dhimbja.
Humba shumçka sot
-baras me shpirtin!
Një xhevahir
në dorë ç’mu thye!
GJITHÇKA ASGJË
GJITHÇKA mendova se është dashuria
ndaj me zemrën time, rrënjët ia mbështolla
S’ka ç`i bën-thash, rrebeshi, as stuhia
Por, ah!-gabova, u vra së bashku me ditët e mia!
ASGJË pa të jeta, e kotë, pa lezet
shteg për syrin e tharë e shpirtin s’po gjej.
Ndaj pështjellohen ditët, shtyhen për gazep
Pendimi për fajin që s’e bëra, s’po më hiqet!
PËSHTJELLIM DITËSH
******************
Diç po më ther
Dalë ngadalë
po nis t’i nusëroj fjalët,
ditët t’i vesh
me fletë, sythet me musht;
-dëbora
mori majat.
Mbrëmë, kupën e mallit
me fund e ktheva:
-mërzinë
e martova me djallin!
Parajsën,
me ferrin e martova.
KJO JETË E MARRË
E humba drejtpeshimin
në vorbullën e kësaj jete të marrë.
Pa diell s’po gjej as lindjen, as perëndimin
as të mbështetem s`kam, jo, se ku.
Fund-dhjetori, lulet m’i mashtroi
(eh, sa bukur kishin çelë);
dy ditë para se t`ikte m’i përcëlloi
nuk di ç’ditë qe, e hënë apo e dielë.
harabelave
në fluturim krahët ç`mua preu.
Ç’mëkat! Vetë i kam vrarë,
se për udhë
në kohë të ligë i nisa.
Tash mëngjeset
nga gjumi s’ka kush të m’i zgjojë
as buzëqeshjen
e luleve në dritare s’do ta kem.
Eh, o fund-dhjetori
në besë më ke vrarë!
BOHEM
Seç më vjen nganjëherë,
rrugaç të bëhem:
gjithandej të shkoj duke fërshëllyer e sharë
deri sa dikush turinjte të m’i thyejë.
PO MË IKIN MIQTË
I ulur pabëzajtshëm
në cep të kohës sime,
me gotën përpara, plot mall,
gjerb e dhimbshëm vështroj
imazhin e ditëve;
…po më ikin miqtë!
një nga një po shuhen
apo shiten për një vdekje,
për një penc,
a dashuri të gjuajtur
si qershitë e pshurrura.*
*histori popullore
DITA E DYTË E PRANVERËS
Nënë moj, më thuaj
ç`orë e ligë qe kur linda?
Ishte e dyta ditë e pranverës
ditë që duhej të ishe e gëzuar
e s’duhej të më nëmje.
Apo engjëjt kishin dalë dëfrim
të shtatën ditë
fatin tim harruan ta shkruajnë.
………………………………..
Kam humbur, nënë, fillin,
As me veten jam, as me ty,
po endem pa qëllim, pa cak…
Mos më pyet ku jam, se nuk e di.
Ndaj, nënë, më thuaj;
Ç`orë e ligë qe kur linda?
Ish e dyta ditë e pranverës
Po pranevera s`më mbajti dot në gji.
KOHA NUK ECI MË
Dita,
nga dhimbja s`donte të dukej;
dielli mbylli sytë
dhe iku!
Koha nuk eci më, u ngri,
dhjetor qe, e ashtu dhjetor mbeti.
Një vajzë
në dashurinë e saj u tradhëtua!
Ditë për ditë
Dhimbjen në rrugë e shet!
LULES SË VYSHKUR
Sa shumë brumbuj
e zvarranikë
mbi kurmin tënd ranë.
Freski, bukuri e nektar
thithën në ty.
Ajme!
Në vend të pllenimit
shëmtimin ta dhanë!
MËNGJES I TRISHTË
Sot, në të zgjuar,
me shtëpinë time keqas jam prishur;
s`di pse u zumë!
As kishte kohë që buzëqeshjen s’ma falte
As dhe një kafe më bënte.
Në drekë e përzura;
pesë cigare njëra pas tjetrës i piva
mora rrugët!
S`di ku do errem, as ku do gdhihem s’e di;
në krah laviresh a në ndonjë stol, i vetmuar në shi!
JAM LODHUR
Jam lodhur, moj. Jam tretur, jam shkrirë
Sa herë u dogja, moj,sa herë jam ngrirë
Ç’më zunë keto ethe? Po digjem dhe një herë
E do shkoj pastaj në dimrin pa verë.
ENDE PO TË PRES
E ndala kohën.
në odën e pritjes
e ngujova.
Nga të tëra koriet
miqtë e mi i ftova
t’i këndonin ardhjes tënde.
Ylberit
ngjyrat ia mora,
rrugën tënde shtrova.
Po ti nuk erdhe!
I lodhur jam,
vetëm më s’e bëj asnjë hap!
MA GËZO TË SOTMEN
Do të ik një ditë nga ky vend,
Më larg akoma do të të kem.
Një ditë do fluturoj prapë tej ëndrrës,
Oh! Kur e kujtoj, diçka brenda më ther!
Ah…s’do të të kem më pranë,
As ty, as fjalën tënde të ngrohtë…
Në djall vaftë dhe jeta ime,
Të më mungojë diçka përherë, qenka thënë!
E djeshmja ka ikur…e sotmja je ti.
Nesër, pa të djeshmen e të sotmen,
Më thuaj: A mund të rri?!
ULURIMA E NJË……
Të gjitha portat e shpirtit
i mbylla.
Kallkan jam bërë si kjo natë
mjerane
Dashuria
-rrenë e një nate të përlyer në epsh;
besnikëria, nderi;
rrecka që fshijnë organet pas aktit.
Uritur, rrugët e mia ha
Po shpirt i zënë në leqe,
zog qyqeje, s’dua të jem
e të çel foleve të pa fole.
Dua çerdhen, sofrën, gazin
Prej kësaj nate dua të dal!
MOS THIRR
Ditëve të shurdhuara
mos u thirr.
Dyerve të mbyllura
mos trokit.
Nga stina shterpë, lindje mos prit!!!
LISI
****
Në majen e një kodrine të fundosur
çmendurinë e reve percjell
era
shtatëdhjetë e shtatë melodive
u fryn e i gris
degëpafletëve të kërcunjura
ku bilbilat harruan sqepat
dallëndyshet
krahët
e lisi pret. Pret
kaltersitë e thyera
në ngrohtësinë e fjalëve të humbura
të ditëve të shituara.
HIJA
*****
Në fundin pa fund
të një rruge të verbuar
shpesh një hije më thërret,
netëve të pa veshë,
më buzëqesh
ditëve të pa sy,
hamendas
në orën e vdekur të shpresës
ardhjen ma tha.
NËSE
*******
Nëse dielli
me rrezet e veta verbohet,
dita vetëvritet
ndër copa pasqyrash të thyera
koha shurdhohet,
me klithmat e zërave të pa zë
e goja i mirret
në fjalë të pathëna;
Ti, ti çka mund të jesh?!
PSE?
1.
Fati
të la
të buzëqeshesh dhe pak,
dhe mua zemrën
në lot
për tërë jetën s`ma la;
ç`ke që ngrysesh
e zemrës i vë prag,
murgeshë e shpirtit tënd?
2.
Se unë
vërtetë jam një murg
e trupi më dhimbset
që e dënova pa faj’
po shpirtit
në një ditë si kjo
hapësirat m`ia fale
kurrsesi tash bashkë t’i bëj.
Një zot e di
si do më vejë halli pastaj.
3.
Koha
kalonte symshelë
shpirti
në gjumë të thellë
kish rënë,
befas erdhe ti
mi përzjeve qiejtë.
ditët m’i shkallmove
e mbolle furtunë.
4.
E tash
unë po ikë.
Po ik nga prehëri yt
nga kurmi yt,
dhimbjet
me vete po i marr
sepse….
po iki duke të dashur.
Po iki
se ti krah s`më dhe
e unë në tokë
gjatë nuk mund të rri.
Po iki
pa shpresë
se do gjej ditë më të mira
shtatin ma rrit besimi,
po ma vret mëshira.
5.
Po iki
pa fjalë, pa vaj
e nëse shpirti lotin pikon
askush s’e sheh
ndaj
dhe nuk quhet vaj.
6.
Të pastër më mbajte
(dhe ta di për nder)
të betohem
sa ishim së bashku
tradhtuar
s`të kam, qoftë dhe një herë.
7.
E di,
së shpejti do fëlliqem
s’do shkojnë shumë ditë a orë
i mërdhirë rrugëve
të parës lavire
do i mbes në dorë!
January 8, 2009 at 7:52 am
How i will bw happy
http://www.happinessandgod.com/?gclid=CLLmsqW-_pcCFcsa3godrFOJCQ