Thellë në harresë do ndryjmë të djeshmen
MOS U MËRZIT
I.Zh.
C`ke që mërzitesh, e dashur:
Zoti kaq gaz na dha.
Gëzimet i ruajti për vehte,
Neve pikëllimin na e la.
Nuk e fajësoj aspak,
gjithkushi të mirën per vete e ruan.
Po nëse rreshqasim ndokund, s’kemi faj;
Si e bëri brumin, ashtu u gatuam
Dy ditë gaz kemi në këtë jetë
dhe ato dot s`i shijojmë;
si mund të qeshi buza, vallë
kur ne farmakun e të sotmes ngjerojmë?.
Paj, do pimë dhe kafe,
do rrimë, do kuvendojmë.
Thellë në harresë të ndryjmë të djeshmen
për bukurinë e së nesërmes të shpresojmë.
ZANA E ËNDRRËS
Në ëndrrën time erdhe
si zanat vijnë,
pa pyetur
pa pyetur do ikësh.
……………………………
Që ëndrra
më e shkurtër se jeta të jetë.
Që nata
të mos jetë më e ëmbël se dita,
ik!…
…ose prite mëngjezin
t’i buzëqeshim së bashku.
PUHIZË PRANVERORE
Si era ikën,
si era vjen;
për shpirtin kallkan,
ngrohtësi bjen.
Puhizë pranverore
pas dimrit të gjatë,
ndjell shpresë prore,
për sythin e ngratë.
Një shpresë e re,
për blerimin e fjetur.
Puhizë e ngrohtë
…dëshirë e mbartur
ZËRI I SHPRESËS
Matanë humnerës
ku ditë-gazin tim gremisa,
atje ku lulet çelin
e pranvera-pranverë është
Ëmbël një zë thërret:
-Heeeeeeeeej!
Ka ditë fatlume
edhe njerëz të mirë ka…
E VONUAR
E di, ti një ditë do të vish
se strehë më të mire s’ke për të gjetur.
Oj ti e mjera! Shpupuris hirin e fikur,
është rrënuar moj, shtëpi e vjetër.
Pëshpërit këngën e pa thënë mbetur;
klith mbi gjysmë emrin tim
mbi lëndinën e fjetur
ti solle gjysmën, po s’është gjysma tjetër…
Ia vure flakën dhe ike e qeshur
tej caqeve ku harrimi harron vetveten.
E dogje brenda shpirtin
qe vetë e kishe krehur.
PA TITULL
Merri ditët që ikën
kaloi në pe si manaferrat
kur qemë të vegjël, kurorë-
kulçedrës, t’i merrte me vete në ferr.
Vetëm një ndaje,
atë që ende s’ka ardhur
stolise, si nuse vishe, se…
do ketë gëzim edhe për ne!
DITËT E MIJA
Herët,
mëngjeseve
me buzëqeshje në buzë
nga dritarja duke më puthur hyjnë.
Rrëmbimthi
nga shtëpia më nxjerrin,
më marrin në krah,
më humbasin, andej nga dua të humbas.
Ca të tjera
në xham trokasin
si lavire përdridhen,
më ftojnë t’i ndjek po kushedi ku treten?
Unë si i humbur
vetëm rri e numëroj!
DJE SOT DHE NESËR
E djeshmja qe dje.
Djeee! Ikuuu!
Shkoi me të shumtat.
E sotmja është sot
edhe kjo po ikën:
e theu qafën!
E nesërmja?!
Ehuu…s’di ç’do të jetë.
MOS MË NEM
Në më zëntë e jotja nëmë
do të ikë pa derdhur lot.
Do vajtojë për mua nëna,
Veçse dije;
Prapë kam për t’ardhur në këtë botë!
Qava në këtë jetë, do shkoj buzëqeshur,
Lotin, peng do ta lë, të rri tek shpirti.
Do kthehem i vrenjtur, ndoshta për të qeshur.,
Çfarë qe thënë për mua, s’e lë të më iki.
MËNGJEZ I RI
Ç`u përflak nga lindja,
e ndezi agimi!
Argjendi i hënës
u zbeh nga perëndimi.
Se agimi i shpejtë
në rrugë e zuri hënën,
foshnja gu-gu-lit
nga gjumi të zgjojë nënën.
March 9, 2009 at 7:29 am
Prita nje urim
Nga nje mik i vjeter
Mesazhi me erdhi
,,Per mua ke vdekur”
Nuk mora mesazh
Por imagjinova
Pasi nuk me shkruajti
Kete gje e mendova!
Nuk me habit fare
Kete gje e kam prit
Behesh e merzitshme
Kur qan nate e dite!